PASQYRË E SISTEMIT SHËNDETËSOR SHQIPTAR


Popullsia e Shqipërisë sipas deklarimeve të INSTAT-it, më 1 janar 2016 është vlerësuar në 2.886.026 banorë nga të cilat 1.461.326 meshkuj dhe 1.424.700 femra. Raporti gjinor i kësaj popullate është 102.6 meshkuj për 100 femra. Mosha mesatare e popullsisë së Shqipërisë është 34.7 vjet.

Sistemi shëndetësor i Shqipërisë para tranzicionit nga komunizmi në demokraci është karakterizuar nga një kontroll i fortë i qeverisë qendrore mbi të gjitha aspektet e sistemit. Në vitin 1992, Shqipëria vendosi një sistem pluralist me ekonomi të liberalizuar në princip. Pas kësaj, në vitin 1993, nisën edhe përpjekjet fillestare për të reformuar shërbimet shëndetësore. Këto reforma ishin të destinuara që të siguronin një cilësi të lartë të kujdesit shëndetësor parësor, me më pak varësi nga shërbimet dytësore, i financuar përmes një sistemi kombëtar të sigurimeve shëndetësore, duke siguruar financime të drejtpërdrejta për shërbimet shëndetësore. Që nga kjo kohë e në vijim, farmaceutikës i është kushtuar gjithmonë një vëmendje e veçantë në reformën e kujdesit shëndetësor.

Ndonëse reformat nisën njëkohësisht në të gjithë sektorët e sistemit shëndetësor, sistemi farmaceutik, për nga vetë natyra e tij, u zgjerua dhe u plotësua me aktorë privat shumë më shpejt se sa sektori i shërbimeve mjekësore. Në fakt spitali i parë privat në vend u nis të projektohej vetëm në vitin 2006 dhe u hap për publikun në 29 Shtator 2009. Në këto rrethana, gjatë gjithë kësaj periudhe, pozicioni i Fufarmës mbeti i një rëndësie të veçantë (Fufarma ruajti statusin "ndërmarrje strategjike") pasi ajo ishte e vetmja ndërmarrje me kapital/aksione publik që vepronte mes një sistemi farmaceutik tërësisht të privatizuar (përveç Fufarmës) dhe një sistemi shërbimesh shëndetësore (dytësore e tretësore) tërësisht publik.

Aktualisht, në Shqipëri shteti siguron shumicën e shërbimeve shëndetësore të ofruara për popullsinë, si në fushën e promovimit, parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin. Sektori privat mbulon kryesisht shërbimet farmaceutike dhe dentare, si dhe disa shërbime të specializuara diagnostikuese përqendruar kryesisht në Tiranë. Tregu i spitaleve private, numri i të cilëve tashmë ka arritur 9, po funksionon fuqimisht dhe gjithnjë e më tepër po tërheq pacientët e dikurshëm të spitaleve publike apo edhe ata që udhëtonin jashtë vendit.

Shërbimet diagnostikuese dhe kurative shëndetësore janë organizuar në tre nivele: parësor, shërbimet dytësore dhe tretësore të kujdesit shëndetësor. Shërbimet shëndetësore publike dhe promovimi jepen në kujdesin shëndetësor parësor dhe janë të mbështetur dhe mbikëqyren nga Instituti i Shëndetit Publik, 12 Drejtoritë Rajonale të Shëndetit dhe 24 Drejtoritë e Shëndetit Publik.

Sistemi shëndetësor në Shqipëri mbështetet edhe nga një numër institucionesh kombëtare të cilat varen direkt nga Ministria e Shëndetësisë

Shërbimet bazë të shëndetit publik janë të koordinuara dhe sigurohen kryesisht nga Instituti i Shëndetit Publik.


Instituti i Shëndetit Publik
ISHP përfaqëson Institucionin më të lartë teknik në fushën e shëndetit publik, është një institucion kombëtar nën varësinë e drejtpërdrejtë të Ministrisë së Shëndetësisë. Detyrat e tij përfshijnë hulumtime dhe monitorime sistematike të faktorëve të rrezikut, mbikëqyrjen e sëmundjeve infektive, referencat laboratorike si dhe menaxhimin e programeve të vaksinimit. Instituti i Shëndetit Publik luan një rol të rëndësishëm në lidhje me trajnimin në fushën e shëndetit publik.


Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore
Agjencia është përgjegjëse për kontrollin e çdo veprimtarie në fushën farmaceutike. Ajo ushtron kontroll mbi:

  • Aktivitetet e prodhimit, mjediset dhe pajisjet
  • Tregtimin me shumicë dhe pakicë dhe kushtet e magazinimit të barnave
  • Lëndët e para të barnave dhe materialet ndihmëse
  • Barnat e importuara nga të gjitha subjektet e licencuara

Tregu farmaceutik në Shqipëri është i rregulluar mirë duke ofruar një shërbim të zgjeruar të barnave nga ana e sektorit privat. Në përafrim me legjislacionin e BE-së, kuadri ligjor është përmirësuar në mënyrë progresive.

Rishikimi në vitin 2015 i çmimeve për disa barna, ka çuar në një ulje rreth 30% në krahasim me vitin 2013, mbështetur kjo në një sërë masash për të rritur qasjen në barna të sigurta dhe për të ulur barrën e tyre financiare.

Cilësia e kujdesit shëndetësor është përmirësuar në 20 vitet e fundit si rezultat i shkëmbimeve profesionale me vendet e tjera dhe përparimet teknologjike. Në vitin 2006 është krijuar një institucion i posaçëm dhe është hartuar kuadri rregullator ligjor i nevojshëm për akreditimin e institucioneve shëndetësore dhe zhvillimin e Udhëzimeve mjekësore dhe Protokolleve. Zhvillimi i udhëzimeve dhe protokolleve nuk është shoqëruar me ndonjë vlerësim të kapaciteteve të zbatimit. Përpjekje të mëtejshme janë të nevojshme për të përfunduar vlerësimin e kapaciteteve, sikundër edhe për të përcaktuar e për të rregulluar kontrollet klinike, në bashkëpunim me Urdhrat Profesionalë dhe Inspektoratit Shtetëror të Shëndetësisë.

STRATEGJIA

Zhvillimi i fortë dhe i qëndrueshëm në proporcion të drejtë me zhvillimin ekonomik të vendit tonë duke qenë aktive në politikat e sistemin shëndetësor

BURIME TE SUKSESIT

Përvojë e gjerë në fushën e farmaceutikes.Personel i mirë përgatitur,dinamik dhe i motivuar. Një mjedis pune frymëzues dhe mikpritës.Objektiva të qarta në kujdesit e konsumatorëve dhe një qasje gjithmonë në përmirësimin ndaj klientit. Struktura organizative të përcaktuara mirë; procedura operacionale te standardizuara saktesisht.

VIZIONI

FUFARMA do të vazhdojë të jetë një kompani e shquar në shpërndarjen e produkteve të reja farmaceutike të prodhuesve pararendës dhe do të krijojë shportën e produkteve të veta