ETAPAT HISTORIKE

24 Maj 1946 - 1995

E themeluar në 24 Maj 1946 si ndërmarrje shtetërore me status "Ndërmarrje Strategjike". Deri në vitin 1995, e vetmja ndërmarrje që realizon furnizimin/shpërndarjen dhe importin e barnave, materialeve dhe pajisjeve mjekësore; materialeve dhe pajisjeve laboratorike, lëndëve kontraste, disinfektantëve mjekësorë, lëndëve të para dhe ndihmëse farmaceutike, etj.
E ngritur me qendër në Tiranë dhe me aktivitet në të gjithë vendin, Fufarma duke qenë "Ndërmarrje Strategjike" kishte magazina speciale për aktivitet strategjik edhe në Zall-Dajt në Tiranë, Durrës, në Bogovë të Skraparit, Kukës dhe në Besnik të Gramshit.

26.10.1995

Fufarma transformohet nga "Ndërmarrje Shtetërore" në "Shoqëri Tregtare", me Urdhër Nr.72, të Ministrit të Financave. Ndonëse shteti vijon të ruaje 100% të aksioneve, ky transformim i hap rrugën ndërtimit të një organizmi më fleksibël me profil tregtar.

11.07.1996

Me Urdhër Nr.3/10 të Ministrit të Financave, privatizohen 30% të aksioneve duke i hapur rrugën krijimit të një subjekti me pronësi të përbashkët Publik-Privat. Deri në këtë periudhë Fufarma ka një rol të rëndësishëm si lehtësues/mbështetës i transformimit të tregut farmaceutik nga një treg tërësisht shtetëror në një treg të lirë ku nis të zërë peshë gjithnjë e më të madhe kapitali privat. (Fufarma vijon të gëzojë statusin "Ndërmarrje Strategjike")

19.12.2003

Me Urdhër Nr. 183 të Ministrit të Ekonomisë, privatizohet një paketë prej 35% të aksioneve të shoqërisë nga paketa e aksioneve (70%) që zotëroheshin nga shteti. Fufarma vijon të mbetet një ndërmarrje me Partneritet Privat Publik por tashmë me 65% të aksioneve me pronësi private. Kjo rriti dukshëm profilin privat tregtar të ndërmarrjes dhe i hapi rrugën transformimit të saj.

17.11.2000 - 2006

Bazuar në statusin si e vetmja ndërmarrje me Partneritet Privat Publik, Vendimi Nr.611 datë 17.11.2000 i Këshillit të Ministrave e ngarkon Fufarmën me përgjegjësinë për të prokuruar në mënyrë të përqendruar dhe për të garantuar furnizimin e institucioneve shëndetësore shtetërore me një numër medikamentesh dhe materialesh mjekimi sipas një liste specifike të miratuar në mënyrë të përvitshme nga Ministria e Shëndetësisë.

03.01.2007 - vazhdim

Aventis Intercontinental dhe Sanofi Aventis Commercial (pjesë të grupit Sanofi-Aventis) kontraktojnë Fufarmën për të realizuar shpërndarjen dhe promovimin në territorin e Republikës së Shqipërisë, të produkteve të veta më strategjike.

19.06.2004 - 2008

Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë, me Vendimin Nr. 390 datë 19.06.2004, ngarkon Fufarmën si ndërmarrje strategjike me Partneritet Publik Privat, për të garantuar furnizimin e pandërprerë të të gjitha spitaleve të vendit. Pjesëmarrja e Fufarmës në këtë aktivitet, përveç rritjes cilësore të shërbimit të ofruar, i kurseu shtetit 25% të vlerës së përgjithshme të tenderave, që më parë humbiste si pasojë e veprimtarive korruptive (Banka Botërore: Raport Nr. 32612; Shkurt 2006).

16.10.2012 - vazhdim

Me Urdhër Nr. 688, të Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Fufarma transformohet në një ndërmarrje me kapital plotësisht privat. Ndërmarrja vijon modernizimin dhe forcon më tej profilin e saj tregtar, duke u bërë një nga aktorët më të rëndësishëm të tregut farmaceutik shqiptar. Referuar vitit 2015, të ardhurat e kompanisë kaluan nga një raport 63% nga tregu i lirë dhe 37% nga tenderat shtetëror, në 97% nga tregu privat.
Ky pozicionim i ri, ka prezantuar edhe sfidat e reja për vitet e ardhshme, me planin e menjëhershëm të rritjes së portofolit të produkteve në bazë të bashkëpunimeve të ndryshme por gjithashtu edhe planin ambicioz për prodhimin e produkteve të veta sipas standardeve europiane në mjediset e saj.

24 Maj 2016

Fufarma feston 70 vjetorin e themelimit. Në ceremoninë festive marrin pjesë mjekë e farmacistë të shquar të vendit, personalitete dhe përfaqësues të lartë të sistemit shendetesor,autoriteteve vendas dhe të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, përfaqësuesit lokalë të kompanive farmaceutike nderkombetare, përfaqësues të shpërndarësve farmaceutikë shqiptarë.
Me këtë rast Fufarma njoftoi futjen në tregun shqiptar të "ILKO Pharmaceuticals", kompani me të cilën ajo nisi një bashkëpunim shumëvjeçar dhe që në këtë event përfaqësohej nga CEO e kompanisë dhe drejtues të tjerë.

03.01.2017

10 vjet bashkëpunim midis Fufarma dhe Sanofi, në Republikën e Shqipërisë. Fufarma vijon të ngelet bashkëpunëtori lokal më i suksesshëm i Sanofi.

Mars 2017

Nënshkrimi i marrëveshjes për themelimin e një sipërmarrje të përbashkët në mes të FUFARMA dhe BIODUE (Itali) për ndërtimin e një fabrike për prodhime farmaceutike të kapsulave dhe tabletave në Tiranë, sipas standarteve më të larta GMP.